Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve “AF Elbasani” dhe “Vllaznia”, e cila do të zhvillohet ditën e sotme, datë 27.04.2026, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Gjatë këtij aktiviteti do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në perimetrin përreth stadiumit.
Qarkullimi do të lejohet vetëm për mjetet e pajisura me autorizim të posaçëm, ku duhet të jenë të shënuara edhe targat e automjeteve.
Policia do të garantojë dhe sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë itinerareve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullime apo kalime jashtë itinerarit të përcaktuar.
Në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj.). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohet hyrja në stadium e shtetasve pa dokument identifikimi. Gjithashtu, fëmijët e mitur nuk do të lejohen të hyjnë pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor të shoqëruar me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohet hyrja në stadium e tifozëve të identifikuar më parë nga Policia si problematikë në aktivitete të ndryshme sportive.
Policia e Elbasanit kërkon mirëkuptimin e tifozerive për zbatimin e masave të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për shmangien e lëvizjes me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura gjatë orareve të përcaktuara.
