Vizita shtetërore e shumëpritur e Mbretit Charles në Shtetet e Bashkuara pritet të zhvillohet sot, pavarësisht një incidenti me të shtëna me armë zjarri që ndodhi gjatë një darke ku ishte i pranishëm edhe Donald Trump.
Presidenti amerikan reagoi për situatën në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS News, duke theksuar se nuk ka arsye për alarm dhe duke garantuar se masat e sigurisë janë të plota. “Mendoj se është shumë mirë; ai do të jetë shumë i sigurt”, u shpreh Trump, duke shtuar se “territori i Shtëpisë së Bardhë është jashtëzakonisht i sigurt”.
Ai theksoi gjithashtu se deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar që tregon për kërcënime të tjera ndaj tij apo zyrtarëve të lartë të administratës.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, deklaroi se hetuesit dyshojnë se të shtënat mund të kenë pasur në shënjestër presidentin dhe pjesëtarë të administratës amerikane. Pavarësisht incidentit, autoritetet amerikane kanë konfirmuar se vizita shtetërore e Mbretit Charles do të vijojë sipas agjendës së parashikuar, me masa të shtuara sigurie në të gjitha aktivitetet zyrtare.
