Kreu i SPAK, Klodian Braho në një raportim nga KLP-ja ku po bën një bilanc të punës së deritanishme të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, pohoi se shumë shpejt trupës së tyre do të t’i shtohen oficerë të rinj të BKH-së dhe Policisë Gjyqësore. Ai tha se 20 prokurorë në SPAK janë mjaftueshëm për të vijuar punën me hetimin e dosjeve që kanë në dorë aktualisht, por dhe të reja.

Anëtar i KLP, Vatë Staka: Ngarkesa juaj e punës është mjaft e madhe dhe këtë nuk e diskuton njeri. Keni paraqitur problematikë për ngarkesën. Por çfarë mendon sot për këtë ngarkesë? A duhen bërë ndryshime në procedurë? Që duhet të liroheni ju më shumë nga kjo detyrë dhe prokurorët tuaj?

Braho: Ngarkesa është e madhe dhe mendoj se do të vijojë të rritet. Por numri i prokurorëve, që është 20, mendoj se është i mjaftueshëm. Duke marrë parasysh dhe shifrat në vend. Duhet të kemi preokupim drejt çështjeve që kemi në dorë dhe të lehtësohet puna e prokurorëve. Do të fillojmë rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH që do të ndikojë në uljen e ngarkesës. Ka përfunduar dhe procesi i rekrutimit të 10 oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ky do të kontribuojë në përshpejtimin e hetimeve. Nuk shoh ndonjë diçka që është gabim në këto momente për t’u ulur ngarkesa e punës. Përveç atyre diskutimeve që kemi bërë më parë, për çështje penale që lidhen me korrupsionin pasiv dhe aktiv. Ajo fasha 50 mijë lekësh do duhet parë, por është proces që duhet parë. Dhe për prokurimet publike, fasha që është aty, është e vogël në vlerësimin tonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: