Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu paralajmëroi se sistemi i drejtësisë do të matet nga rezultatet për qytetarët, duke nxjerrë në pah një nga problemet kryesore: vonesat deri në 3 vite për arsyetimin e vendimeve gjyqësore.

Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit te Lartë Gjyqësor dhe Këshillit te Lartë te Prokurorisë, Ministri i Drejtësisë foli hapur për sfidat që mbeten në sistem, pavarësisht progresit të bërë.
Ai pranoi se gjatë vitit 2025 është shënuar përparim në vlerësimet etiko-profesionale të magjistratëve, por theksoi se ritmi aktual mbetet nën pritshmëritë. “Progres ka, por kjo nuk mjafton. Në fund të vitit do të matemi nga ajo që ndjen qytetari,” deklaroi Ministri.

Një nga problemet më të mprehta, sipas tij, mbetet vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, që në disa raste arrin deri në tre vite. “Për qytetarin, drejtësia nuk vonohet në sallë — vonohet kur nuk merr vendimin e arsyetuar,” u shpreh ai.

Ministri theksoi se kjo çështje duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet e sistemit, duke sugjeruar që të përfshihet në fokusin e inspektimeve tematike për vitet 2026–2027, në përputhje me Strategjinë Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024–2030. Ai riafirmoi gjithashtu se Ministria e Drejtësisë do të mbështesë Këshillat në çdo kërkesë të argumentuar, por theksoi se përgjegjësia për rezultatet mbetet e përbashkët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb