Në një intervistë në “News24”, deputeti i PD Saimir Korreshi u pyet lidhur me zgjedhjet për kryetar në Partinë Demokratike.
Gjatë intervistës, Korreshi vlerësoi si të rëndësishme protestën e paralajmëruar më 8 maj, duke thënë se tani fokusi është te protesta, dhe jo aq shumë te zgjedhjet. Ai nënvizoi se opozita është e detyruar të ndjekë rrugën e protestës.
“Di që po bëhemi gati për datën 8 maj. Me thënë të drejtën nuk e kam mendjen te zgjedhjet. Është më re rëndësishme ajo që kemi në plas se sa kush do jetë kryetar. Ka rëndësinë e vet edhe kryetari partisë, por jemi në terren…lëvizja është vështirësuar edhe për shkak të rritjes së naftës. Ne jemi munduar të ndryshojmë organizimin. Sa më pak të merret vesh nga shokët e policisë…Është një strategji e detyruar, na mohohen interpelancat, fjala jonë. Nuk kemi mundësi tjetër përveçse komisionet dhe atje shoku Rama nuk vjen…dhe jemi detyruar të ndjekim këtë rrugë”, tha ai.
Më tej theksoi se SPAK ka treguar që i ka shkuar deri në fund çështjeve.
“Krimi i organizuar gëlon, pastrimi i parave është problem ende. Dhe mendoj që SPAK duhet të ketë një imazh tjetër”, u shpreh ai.
Një koment e ka bërë edhe për seancën në themel të ish-presidentit Ilir Meta, për të cilën shpjegoi se është pro transparencës dhe që seancat të jenë live.
“Nuk ka asgjë të keqe të jetë transparente, vetëm nëse ka dëshmitar kompleks…Nuk ka asgjë të keqe të debatohen provat. Më mirë të jenë me dyer të hapura ndoshta edhe pse kanë një interes të madh publik ndaj këtyre zyrtarëve që kanë pasur pozicione të larta”, shtoi ai.
