Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Kuvendi i Kosovës, ka thënë se opozita nuk mund ta zhbëjë vullnetin e popullit. Ai ka folur edhe për ofertën që i ka dhënë LDK-së për të qenë në bashkëqeverisje. Kurti ka folur edhe për ofertën ndaj PDK-së, për kryetar të Kuvendit.
“Sot janë mbushur 4 muaj nga zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe ja ku jemi në një seancë që bojkotohet nga opozita. Vetëm 4 muaj pas zgjedhjeve duan prapë zgjedhje; ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne. Ne do të jemi pranë popullit, duke i shërbyer me përkushtim, profesionalizëm e dinjitet dhe mbështetja për ne vetëm do të rritet. Por demokracia do edhe institucione. Vitin e kaluar ishte pengesa për t’u zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe qeveria, ndërsa tash janë kapur te zgjedhja e presidentit. Ne kemi qenë shumë gjeneroz në ofertat tona. LDK-së i kemi ofruar zëvendëskryeministrin dhe 4 ministri, pa pasur nevojë fare për ta në qeveri. I kemi marrë në qeveri pavarësisht se s’na nevojiten”, tha Kurti.
Sipas saj, ky bllokim që shohim sonte është bllokim i vitit të kaluar, janë subjekte të zanatit të vjetër që po përpiqen ta bartin karakterin e tyre edhe te populli, duke pamundësuar funksionimin demokratik të institucioneve.
“Republika e Kosovës praktikisht e ka presidentin, por nuk e ka konstruktivitetin elementar të opozitës për këtë gjë. Feride Rushiti është e gatshme dhe gatishmëria e saj është nder. Unë e falënderoj që, si lidere e shoqërisë civile, ka pranuar të kandidohet”, tha Kurti.
“Por Kosova, për të pasur president të ri, duhet të ketë opozitë të re. Opozita zanatin dhe karakterin e ka të vjetër, prandaj janë në rënie të lirë; sa më shpesh që bëhen zgjedhje, aq më poshtë shkojnë”, tha ai.
