Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve për shkak të, siç tha ai, kërkesës së pushtetit për “nënshtrim”.

Abdixhiku deklaroi se LDK-ja ka ofruar konsensus dhe bashkëpunim në proceset politike, por sipas tij, këto përpjekje janë injoruar nga pala tjetër.

“Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan. Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai shtoi se dallimi mes LDK-së dhe pushtetit aktual qëndron në qasjen ndaj institucioneve dhe përfaqësimit të shtetit, duke përmendur edhe Presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

Sipas tij, Osmani është parë nga pushteti vetëm si kuorum, ndërsa nga LDK-ja si një Presidente përfaqësuese dhe dinjitoze e Republikës.

Abdixhiku theksoi se këtë dallim do ta vulosë qytetari i Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë thirrje për bashkim të qytetarëve rreth një vizioni për, siç u shpreh ai, “një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë”.

“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi… Do ta kemi!”, përfundoi Abdixhiku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb