Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi i organizimit të zgjedhjeve të reja nuk është i lehtë, andaj ai kërkon që votimet të mbahen më 7 qershor.

“Gjykata Kushtetuese i ka caktuar dy data për mbajtjen e zgjedhjeve, 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, tha ai pas takimit që ka zhvilluar me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ai tha se KQZ-ja kërkon sa më shumë kohë për përgatitjen e zgjedhjeve të reja, që duhet të mbahen pas shpërndarjes së legjislaturës së dhjetë, e cila dështoi që të zgjedhte presidentin e ri më 28 prill, brenda afatit kushtetues.

Radoniqi u pyet nëse kanë diskutuar për buxhetin që i duhet KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve, ai tha se jo, por shtoi se “besoj do të jetë përafërsisht si në zgjedhjet e kaluara”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, Kosovës i kushtuan rreth 7 milionë euro.

Pasi ky vit nuk është vit i rregullt zgjedhor, KQZ-ja do të duhet që t’i drejtohet Qeverisë për të kërkuar buxhet për organizimin e votimeve.

Deputetët kishin afat deri më 28 prill që të zgjidhnin presidentin e ri, dhe sipas aktgjykimit të Kushtetueses, pas dështimit, Kuvendi është shpërndarë menjëherë.

Zgjedhjet, ndërkaq, duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tani ka afat dhjetë ditë që të konsultohet me partitë politike për dy datat e zgjedhjeve: 31 majin dhe 7 qershorin dhe brenda këtij afati t’i shpallë zgjedhjet.

Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare në më pak se një vit e gjysmë që do të mbahen në Kosovë./ REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb