10 milionë e 887 mijë euro do të jetë kostoja buxhetore e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat janë caktuar që të mbahen më 7 qershor.
Plani për këtë buxhet të zgjedhjeve të 7 qershorit është miratuar me unanimitet në mbledhjen e së premtes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), së cilës i mungon një anëtar.
“Shuma totale e buxhetit të planifikuar arrin vlerën 10,887,186.445 euro. Buxheti është planifikuar sipas programeve dhe kategorive ekonomike si vijon: paga dhe shtesa shuma 221 mijë euro, mandej mallra dhe shërbime 10 milionë e 621 mijë, shpenzime komunale 32 mijë dhe pasuritë jofinanciare kapitale në 13 mijë”, ka thënë Violeta Salihu, e cila është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ.
KQZ-ja e ka miratuar edhe planin e aktiviteteve. Bazuar në të, fushata zgjedhore e partive politike do të zgjasë 10 ditë, duke nisur nga 28 maji e deri më 7 qershor në orën 7:00 kur edhe hapen vendvotimet.
Ndërkaq, vendimi për përcaktimin e kufizimit të shpenzimeve të fushatës do të merret më 5 maj.
Subjektet politike të cilat duan që të lidhin koalicione do të kenë kohë 7 ditë për ta bërë këtë, nga 1 e deri më 7 maj.
E për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, partitë do të ketë afat nga 2 maji deri më 12 maj.
Më 16 maj do të bëhet tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.
Votimi nëpërmjet postës do të zgjasë nga 25 maji deri më 6 qershor, e një ditë para zgjedhjeve në Kosovë do të organizohet votimi nëpër përfaqësitë diplomatike.
Në mbledhjen e të premtes të KQZ-së është krijuar edhe Këshilli për mbikëqyrjen e informimit publik, me kryesues, Muharrem Nitajn.
“Do të propozoja që meqë ky Këshill ka të bëjë me produktet informative që lidhen me fushatën e zgjedhjeve, zgjedhjet dhe informimin e opinionit publik dhe realizohet në disa gjuhë, në këtë këshill të jenë përfaqësues të gjuhëve që fliten në Kosovë: turke, serbo-kroate, boshnjake dhe rome”, ka theksuar Nitaj, i cili është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në KQZ.
Më 21 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta certifikojë listën e votuesve brenda dhe jashtë shtetit.
