Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, Enkelejd Alibeaj u ndal te zgjedhjet për kryetar në PD.
Alibeaj u shpreh se Sali Berisha duhet të largohet pa kthim. Një koment e bëri edhe për ish-deputetin e PD Ervin Salianjit të cilit nuk iu pranua kandidatura.
“Nuk është garë, nuk është asnjë ushtrim logjik brenda një grupimi. Sepse çfarë sensi ka nëse ti e quan garë, rregullat e tyre të brendshme e quajnë garë, Statuti e quan garë, bën një diçka të tillë, përjashton, se ky është termi, përjashton të gjithë ata të cilët formalisht kanë të drejtë të kandidojnë, që nga zoti Salianji, nga zonjusha Balliu.
Zonja Kokalari, kam përshtypjen, po edhe zonja Merheme Sela. Formalisht, sipas Statutit të asaj partie, mjafton të jenë anëtarë të Partisë Demokratike, se ky është i vetmi kriter i qartë, të kenë dhënë kontributin e tyre, që kanë dhënë të gjithë, pavarësisht se mediatikisht ndoshta zonja Sela jo aq shumë, por të paktën tre të tjerët.
Salianji po e po, Kokalari po e po. Dhe të lejosh, se nuk e di, e ka regjistruar apo jo Sali Berisha këtë, nuk e di, s’ta them dot, por të regjistrojë për kandidat, dikë që sipas rregullave të tyre nuk duhet të kandidojnë, se i ka të dyja anët medalja, përjashtuar ata të cilët kanë të drejtë dhe lejuar ata që nuk kanë të drejtë.
Në këtë rast unë besoj që kjo, që jo vetëm s’është garë, nuk është as farsë, por është një trishtim i madh. Është një trishtim i madh në fakt që, ta them këtë, faji nuk qëndron vetëm tek Sali Berisha.
Inercia, mënyra se si është, po themi, skalitur në jetë, në jetëgjatësinë e vet politike.
Po doni ju dhe mosha, po doni ju dhe interesat që e rrethojnë, sigurisht e kanë bërë si një lloj sjellje të detyrueshme të tij.
Në fakt, një peshë të madhe të fajit kanë të gjithë ata të cilët i rrinë përreth. Dhe ky është një ushtrim i madh social, është një eksperiment social çfarë po ndodh në Partinë Demokratike. Sali Berisha humbi zgjedhjet dhe duhet të ikë pa kthim. S’ka të drejtë as të kandidojë’, tha Alibeaj.
