Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (International Democracy Union – IDU) ka miratuar rezolutën e 8-të për Shqipërinë, duke reflektuar denoncimet e PD mbi zhvillimet demokratike, proceset zgjedhore, funksionimin e shtetit të së drejtës në vend dhe ecurinë e procesit të integrimit europian. Sipas njoftimit të PD, dokumenti i referohet vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare, duke e klasifikuar Shqipërinë si “autokraci elektorale” dhe duke theksuar përkeqësimin e perceptimit për korrupsionin. Sipas rezolutës, korrupsioni sistemik dhe mungesa e llogaridhënies në nivelet e larta të qeverisjes përbëjnë pengesë serioze për avancimin drejt Bashkimit Europian.
IDU vlerëson se procesi i integrimit është ngadalësuar ndjeshëm, për shkak të kapjes së shtetit, ndërhyrje politike në institucionet e drejtësisë dhe lidhje të dyshuara mes zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. Po ashtu, ngrihet shqetësimi për mungesën e ndjekjes efektive penale ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe për abuzimet në prokurimet publike.
Në aspektin e sigurisë, rezoluta paralajmëron për rritjen e ekspozimit të vendit ndaj ndikimeve të jashtme, veçanërisht nga aktorë si Rusia dhe Kina, si dhe për rreziqet që lidhen me ndërhyrjet hibride, kërcënimet kibernetike dhe cenimin e sistemeve shtetërore.
Sa i përket zgjedhjeve, dokumenti konstaton se proceset elektorale nuk kanë përmbushur standardet ndërkombëtare, duke evidentuar keqpërdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj votuesve dhe përfshirjen e elementëve kriminalë. Në këtë kuadër, bëhet thirrje për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe për zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Rezoluta ndalet edhe tek sistemi i drejtësisë, ku evidentohen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin e çështjeve dhe problematika që lidhen me atë që cilësohet si drejtësi selektive dhe ndjekje penale me motive politike ndaj figurave të opozitës.
Në përmbyllje, IDU thekson se progresi drejt Bashkimit Europian mbetet i kushtëzuar nga garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pluralizmit politik, duke i bërë thirrje autoriteteve shqiptare të rikthejnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës institucionale.
REZOLUTA E IDU NË SHQIP:
Rezolutë për Shqipërinë
Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (IDU),
Duke rikujtuar angazhimin e Shqipërisë për integrimin euro-atlantik, anëtarësimin e saj në NATO, dhe duke rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin në European Union;
Duke marrë në konsideratë Raportin e V-Dem Institute (2026), që e klasifikon Shqipërinë si “autokraci elektorale”; gjetjet e OSCE/ODIHR dhe Transparency International (Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025: 39/100, me rënie prej 3 pikësh dhe 11 vendeve);
I shqetësuar nga moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mohimi i të drejtave kushtetuese të opozitës në Parlament;
International Democracy Union vendos si vijon:
1. Integrimi Europian
• Paralajmëron se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian praktikisht është ngadalësuar për shkak të pengesave nga qeveria, korrupsionit të përhapur sistemik, kapjes së shtetit dhe lidhjeve midis krimit të organizuar dhe niveleve më të larta të pushtetit;
• Dënon pengimin e vazhdueshëm të ndjekjes penale të korrupsionit në nivele të larta dhe abuzimet masive në prokurime publike, ndërkohë që shumica parlamentare socialiste mbron mungesën e llogaridhënies;
• Vëren hetimet që implikojnë ministra dhe zyrtarë të lartë në të gjitha nivelet, konfirmojnë korrupsionin sistemik që po ngadalëson integrimin në BE;
• Mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbi bazën e meritës, pa anashkaluar asnjë kriter;
1. Siguria dhe Rreziqet e Jashtme
• Paralajmëron se dobësimi i institucioneve e ekspozon Shqipërinë ndaj ndikimeve keqdashëse, veçanërisht nga Rusia dhe Kina; thekson infiltrimin e krimit të organizuar, kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike si rreziqe për pjesën juglindor të NATO;
• Shpreh shqetësim të thellë për kapjen e infrastrukturës strategjike digjitale, veçanërisht brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke përfshirë zyrtarë të lartë dhe persona me lidhje me krimin e organizuar, si dhe raste të raportuara të rrëmbimeve që përfshijnë zyrtarë dhe/ose biznesmenë;
• Thekson rreziqet ndaj sistemeve shtetërore, keqpërdorimin e të dhënave personale, ndërhyrjen në zgjedhje dhe cenimin e bashkëpunimit me NATO/BE;
• Bën thirrje për transparencë, hetime të pavarura dhe masa urgjente mbrojtëse;
• I bën thirrje vendeve të Ballkanit, anëtare të NATO-s, si dhe partnerëve, që të bashkëpunojnë përmes rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, me qëllim forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të pengimit politik, si dhe arritjen e ekonomive të shkallës;
1. Zgjedhjet
• Konstaton se zgjedhjet parlamentare nuk përmbushën standardet ndërkombëtare, dhe u karakterizuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve shtetërore, zhdukja e kufirit shtet–parti, presioni/intimidimi ndaj votuesve dhe ndërhyrja e elementëve kriminalë;
• Bën thirrje për reformë konsensuale, zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, mbrojtje të pluralizmit dhe të drejtës për koalicione parazgjedhore, si dhe përmbysjen e ndryshimeve kushtetuese të njëanshme;
• Mbështet modelin e një qeverie kujdestare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme;
1. Drejtësia Selektive dhe Ndjekjet Penale të Motivuara Politikisht
• Shpreh shqetësim për 200,000 çështje gjyqësore të prapambetura dhe vonesa në gjykim prej 8–15 vitesh, krahasuar me 18,000 çështje dhe vonesa prej 3–4 vitesh para reformës;
• Dënon presionin politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët nga Kryeministri; drejtësinë selektive; si dhe ndjekjet penale të motivuara politikisht, përfshirë ndaj Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatmir Mediut, në shkelje të procesit të rregullt ligjor;
1. Reforma Territoriale
• Dënon reformat e njëanshme që minojnë konsensusin dhe mundësojnë kontrollin politik;
• bën thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse dhe të decentralizuar, në përputhje me standardet europiane;
International Democracy Union:
• Pohon se nuk mund të ketë përparim drejt European Union pa zgjedhje të lira, shtet të së drejtës dhe pluralizëm;
• U bën thirrje autoriteteve të ndalin pengesat, të rikthejnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës, si dhe të respektojnë rrugën euro-atlantike të Shqipërisë.
