Kompania “ONE Albania” ka nisur rritjen e çmimeve të shërbimeve celulare, nëpërmjet indeksimit me ndryshimin mesatar vjetor të çmimeve të konsumit, duke nisur nga data 1 maj 2026. Rritja e çmimeve do të jetë deri në masën 2.2%, sipas normës së inflacionit mesatar vjetor të publikuar nga INSTAT. Aplikimi i një praktike të tillë shton shqetësimin për efektin afatgjatë që mund të ketë në kohë. Një indeksim i përvitshëm, për më tepër në periudha kur inflacioni mund të jetë ndjeshëm më i lartë, do të sillte shtrenjtim progresiv të kostove të komunikimit për përdoruesit shqiptarë.
Revista “Monitor” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Autoritetit të Konkurrencës, për të marrë një qëndrim nga ky institucion për faktin nëse praktika e indeksimit automatik të çmimeve të shërbimeve të komunikimeve elektronike shtron probleme që lidhen me të drejtën e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës shprehet se kjo çështje është nga elementet e hetimit të thelluar që ky institucion ka hapur në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, në nëntor të vitit të kaluar.
“Bëjmë të ditur se gjatë procedurës së hetimit të thelluar në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës do të vlerësojë edhe aplikimin e normës së IÇK, në kuptim të dispozitave të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’. Procedura e hetimit është aktualisht në vijim”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Konkurrencës.
