Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas aksidentit të rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe disa persona të tjerë mbetën të plagosur, duke u bërë thirrje mediave dhe portaleve për më shumë përgjegjësi dhe ndjeshmëri në raportimin e ngjarjes.

Përmes një reagimi publik, Rama thekson se në një moment kur i gjithë vendi është në pikëllim dhe drejtësia po ndjek rrugën e saj për zbardhjen e plotë të ngjarjes, roli i mediave është thelbësor për të ruajtur etikën dhe dinjitetin njerëzor.

“Është detyrë e të gjithëve, por veçanërisht e mediave, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi”, shprehet kryeministri, duke shtuar se publikimi i pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e familjarëve të prekur.

Ai nënvizon se respekti për dinjitetin njerëzor duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim, ndërsa bën thirrje për solidaritet dhe humanizëm në këtë ditë tragjike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb