Kryetari i PD Sali Berisha ka akuzuar qeverinë gjatë seancës plenare të së enjtes për heqjen e subvencionit të naftës për fermerët, duke e cilësuar këtë një vendim që rëndon gjendjen ekonomike të tyre.
Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha u shpreh se Shqipëria po vepron ndryshe nga vendet e tjera evropiane, të cilat sipas tij vijojnë të mbështesin fermerët përmes subvencioneve, veçanërisht në periudha të rritjes së çmimeve të karburanteve.
“Ju jeni e vetmja qeveri në Evropë që, në kulmin e çmimeve të naftës dhe gazit, u hiqni fermerëve subvencionin. A ka cinizëm më të madh se ky?”, deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo politikë, sipas tij, kontribuon në varfërimin e fermerëve dhe largimin e qytetarëve nga vendi.
Ai theksoi gjithashtu se në disa vende të rajonit dhe Evropës, si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia, fermerët përfitojnë mbështetje më të madhe për karburantin, duke përmendur çmime të subvencionuara më të ulëta se ato të tregut.
