Deputeti socialist Erion Braçe teksa foli në parlament për aksidentin e rëndë të dielën në Durrës, i përlotur tha se ky nuk ishte aksident por vrasje me dashje.

“Dy familje përcollën sot në lot fëmijët e tyre. Kush ka fëmijë e di fare mirë cdo të thotë të përcjellësh shpirtin tënd.

Një e tretë në fillim ishte në betejë për jetën e tani në rehabilitim të një traume që nuk do të jetë e lehtë. E gjitha për shkak të një krimi, një vrasje dhe jo aksident apo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo është vrasje”, tha deputeti socialist duke shtuar se ka kërkuar ndryshimet në Kodin Penal dhe Rrugor, pasi ata e normalizojnë një krim të tillë.

Erion Braçe: Dy familje përcollën sot pa kthim shpirtin e tyre. Një e tretë ishte në betejë për jetën dhe tani për rehabilitim e një traume të rëndë që do të jetë emocionale. E gjitha pas një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua, dhe asnjëherë aksident apo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. E përsëritur në rrugë kombëtare apo vendore, qytetesh e lagjesh dhe fshatrash.

Dje kam publikuar një video të aksidentit me një arsye: refuzimin për të normalizuar një krim të tillë. Në fakt, baza ligjore që kemi, Kodi Rrugor e më pas ai Penal, e normalizojnë me një standard normalizues. Një i pirë, për më keq një i dehur që nget një makinë në rrugë, ndalohet, shoqërohet, dërgohet në paraburgim. Në çdo rast është liruar apo lirohet pas 2 ditësh. Procedimi i tij vijon në liri. I hiqen pikë nga patenta dhe ngarkohet me një gjobë.

Morali është që ti mund të pish, të ngasësh makinën, të dalësh, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente, e më tutje, nëse ke para, paguan në çast dyfishin e gjobës dhe pezullimi i patentës nuk ndodh. E bën dy herë; në mënyrë të përsëritur shkon deri në 18 muaj pezullim të patentës, e njësoj deri në tre herë. Nga 0.73, siç ishte i dehuri i kësaj radhe, në 0.70 i hiqen vetëm 10 pikë.

Ndërkohë ai po hetohet për shkelje të rregullave, drejtim në mënyrë të parregullt, largim nga vendi i ngjarjes. Ky është profili që përcakton kodi, në referencë të asaj që është votuar këtu shumë kohë më parë. Banorët kanë një profil tjetër për të dehurin: një i fortë që sundon lagjen, që dehet e vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, kjo është vrasje. Nëse duam të bëjmë diçka, gjëja e parë është që ndryshimet në Kodin Penal të formulojnë pikërisht vrasjen me dashje. Një i dehur hyn në rrugë për të vrarë me dashje”, tha Braçe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb