Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar sulmet e Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, duke i cilësuar ato si “të pajustifikuara dhe të papranueshme”.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Macron theksoi se Franca do të vijojë të qëndrojë në krah të aleatëve të saj, si në Emirate ashtu edhe në rajonin më të gjerë, për të mbrojtur integritetin territorial dhe sigurinë e tyre.
Kreu i shtetit francez bëri gjithashtu thirrje për një zgjidhje të qëndrueshme të krizës në Lindjen e Mesme. Ai nënvizoi si prioritete kryesore hapjen e Ngushticës së Hormuzit për të garantuar lirinë e lundrimit dhe arritjen e një marrëveshjeje të fortë ndërkombëtare që do të siguronte stabilitet afatgjatë në rajon.
Macron u ndal edhe te kërcënimet që, sipas tij, burojnë nga Irani, duke përmendur tre elementë kyç: programin bërthamor, zhvillimin e kapaciteteve balistike dhe aktivitetet destabilizuese në rajon.
