Ditën e sotme, në orën 09:30, në Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan zhvillohet seanca gjyqësore për vlerësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë për personat e arrestuar gjatë një operacioni të gjerë antidrogë të finalizuar fundjavën e kaluar.

Aksioni u ndërmor nga Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe nën drejtimin e Prokuroria e Elbasanit, duke goditur një rrjet të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në disa zona të qarkut.

Operacioni u zhvillua paralelisht në Prrenjas, Librazhd dhe Elbasan, ku si rezultat u vunë në pranga 10 persona. Sipas burimeve zyrtare, në total janë lëshuar 26 urdhër-arreste. Prej tyre, 10 persona u ndaluan në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa 8 të tjerë ishin arrestuar më herët gjatë fazave të mëparshme të hetimit. Një prej të dyshuarve rezulton i mitur dhe do të ndiqet në gjendje të lirë.

Në kuadër të këtij operacioni, policia sekuestroi si prova materiale rreth 8 kilogramë cannabis sativa, 100 gramë kokainë, si dhe shuma parash të dyshuara se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i shpërndarjes së narkotikëve.

Ky aksion është vijim i operacioneve të mëparshme të koduara “Rrjeti” dhe “Tempulli”, ndërsa hetimet për këtë çështje kishin nisur rreth 10 muaj më parë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë përdorur agjentë të infiltruar dhe janë siguruar prova të rëndësishme përmes përgjimeve dhe dokumentimit me pamje filmike.

Kontrollet e ushtruara kanë qenë të shumta dhe të përqendruara në ambiente të dyshuara për përfshirje në aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve, duke çuar në goditjen e një rrjeti të strukturuar shpërndarjeje.

Operacioni mbetet ende i hapur, ndërsa vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e individëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Ndër personat e përfshirë në këtë çështje përmenden edhe shtetasit: Agron Biba, Rinor Hajdari, Indrit Shahinaj, Lulezim Feta dhe Mynyr Çepi, të cilët pritet të njihen sot me masat e sigurisë që do të vendosë gjykata.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb