Policia e Tiranës ka zbuluar dy lokale ku organizoheshin lojëra fati. Në pranga ka rënë një 39-vjeçar dhe është proceduar një 55-vjeçar.
Ndërkohë gjatë operacioni u sekuestruan tavolina pokeri dhe pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari.
njoftimi i plotë;
Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”.
Zbulohen 2 lokale ku organizoheshin lojëra fati. Vihet në pranga administratori i njërit lokal, procedohet penalisht administratori i lokalit tjetër.
Sekuestrohen tavolina pokeri dhe pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 3, në vijim të kontrolleve në lokale dhe subjekte të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së tyre për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, zbuluan 2 lokale ku organizoheshin lojëra fati.
Për këto raste:
-u arrestua shtetasi E. H., 39 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin që administronte, në rrugën “Sitki Çiço”, u konstatua se kishte përshtatur ambientin për organizimin e lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 tavolina pokeri që u gjetën në lokal;
-u procedua penalisht shtetasi E. C., 55 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën aplikacione për baste sportive.
Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
