Policia e Sarandës ka ekzekutuar vendimin e gjykatës duke vënë në pranga Klementin Islamaj, banues në fshatin Shalës, bashkia Konispol.
Arrestimi i tij u krye pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë e ka dënuar 43-vjeçarin me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Ngjarja e rëndë daton më 10 gusht 2024, në familjen Islamaj në Shalës, ku sipas hetimeve, 69-vjeçari Hysen Islamaj, babai i Klementinit, kishte vrarë bashkëshorten e tij, 66-vjeçaren Shano Islamaj. Më pas, ai kishte kanosur dhe sulmuar edhe të birin.
Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë Klementin Islamaj në kohën e ngjarjes, ai ishte përballur me një skenë të rëndë në banesë, ku kishte gjetur nënën e tij të plagosur rëndë dhe babanë që e kishte sulmuar. Në gjendje të rënduar psikologjike dhe i frikësuar për fatin e fëmijëve, ai kishte reaguar duke e goditur të atin me grushte dhe shkelma.
Pas incidentit, ai ka treguar se kishte tentuar t’i jepte ndihmë babait dhe kishte kërkuar ndërhyrjen e ambulancës, ndërsa nëna e tij ndërroi jetë pak çaste më vonë.
Burime bëjnë me dije se, edhe pas gati dy vitesh nga ngjarja, 43-vjeçari ndodhet në gjendje të rënduar psikike. Ndërkohë, me ekzekutimin e vendimit të gjykatës, ai do të vuajë dënimin e dhënë për këtë çështje të rëndë familjare.
