Kreu i Partia e Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, një prej figurave të njohura të politikës shqiptare të periudhës së tranzicionit pas viteve ’90.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Meta shpreh dhimbjen për humbjen e tij dhe vlerëson kontributin që Pëllumbi ka dhënë si në jetën politike, ashtu edhe në atë akademike.
“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Prof. Servet Pëllumbit, një figurë e shquar në jetën politike dhe institucionale të vendit… Për mua ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të në një periudhë shumë të vështirë të tranzicionit”, shkruan Meta.
Ai i shpreh gjithashtu ngushëllime familjes Pëllumbi, bashkëshortes dhe fëmijëve, duke e cilësuar të ndjerin si një njeri me kontribute të rëndësishme në zhvillimet e vendit. Servet Pëllumbi mbetet një nga emrat e njohur të politikës dhe akademisë shqiptare, me rol të spikatur në institucionet e vendit gjatë dekadave të tranzicionit.
MESAZHI
Me hidhërim të thellë mësova mbrëmë vonë për ndarjen nga jeta të Prof. Servet Pëllumbit, një figurë e shquar në jetën politike dhe institucionale të vendit, me kontribute shumë të rëndësishme jo vetëm në jetën politike, por edhe akademike.
Për mua ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të në një periudhë shumë të vështirë të tranzicionit të vendit.
Ngushëllimet më sinqerta për bashkëshorten e tij, djemtë dhe gjithë familjen Pëllumbi për ikjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur, por edhe për të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe dashamirësit.
Të prehet në paqen e merituar!
I paharruar kujtimi i Prof. Servet Pëllumbit!
