Prishtina e Re ka shënuar fitore në kuadër të javës së 33-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke mposhtur Prishtinën, me rezultat 3:2, në një ndeshje me përmbysje dramatike.

Pjesa e parë ishte e balancuar, me të dyja skuadrat që krijuan raste, por goli i vetëm erdhi në kohën shtesë. Pas një ndërhyrjeje me dorë në zonë, gjyqtari akordoi penallti për Prishtinën, të cilën Leotrim Kryeziu e shndërroi në gol për epërsinë 0:1.

Në fillim të pjesës së dytë, Prishtina e shtoi avantazhin. Dren Zeqiri asistoi për Ardian Mujën, i cili realizoi për 0:2.

Megjithatë, vendasit reaguan shpejt. Ibrahim Kargbo shënoi për 1:2, duke rikthyer ndeshjen në lojë dhe duke rritur intensitetin në fushë.

Momenti kyç i takimit erdhi pas përjashtimit të Arjol Bllacës, i cili u ndëshkua me karton të kuq vetëm pak minuta pas inkuadrimit, duke e lënë Prishtinën me një lojtar më pak.

Prishtina e Re e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe arriti të barazojë shifrat në 2:2, pas një tjetër penalltie, të realizuar nga Nedim Mekic.

Përmbysja u kompletua në minutën e 77-të, kur Ibrahim Kargbo realizoi golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje, duke vulosur fitoren 3:2 për skuadrën e Prishtinës së Re.

Pas kësaj humbjeje, Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë, por me shpresa më të vogla për sigurim të pozitës që dërgon në Evropë, ndërsa Prishtina e Re, me 31 pikë, vazhdon të mbajë gjallë shpresat, sado të vogla, për mbijetesë në elitë.

Kjo ndeshje u zhvillua në mesjavë për shkak se Prishtina do të luajë Superkupën Kosovë Diasporë ndaj Kosovës së Cyrihut, ndërsa ndeshjet e tjera zhvillohen të shtunën dhe të dielën

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: