Një në pesë vetë në Bashkimin Evropian konsiderohet i rrezikuar nga varfëria. Komisioni Evropian dëshiron ta vendosë këtë çështje në fokus dhe ka paraqitur nisma për zgjidhje. Përgjegjësia qëndron te secili shtet.

Është një objektiv ambicioz që Bashkimi Evropian i ka vënë vetes: deri në vitin 2050 varfëria në BE duhet të eliminohet. Komisioni Evropian ka prezantuar tani një strategji për ta arritur këtë synim. Bëhet fjalë për disa pika të ndryshme. Një nga pikat kryesore është strehimi: Komisioni Evropian kërkon që shtetet anëtare të sigurojnë më shumë banesa me qira të përballueshme dhe sociale. Po ashtu, parashikohen programe për të parandaluar humbjen e strehimit, për shembull përmes sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe shërbimeve këshilluese.

Varëria e fëmijëve
Përveç kësaj, Komisioni Evropian fokusohet edhe te varfëria e fëmijëve. Strategjia kundër varfërisë kërkon përmirësim të arsimit dhe të ofertave përkujdesëse. Për shembull, fëmijët duhet të marrin ushqim falas në shkollë.

Shtetet anëtare përgjegjëse për politikat sociale
Politika sociale është zakonisht përgjegjësi e shteteve anëtare. Si pikë e tretë, synohet përmirësimi i përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, pasi ata janë veçanërisht të rrezikuar nga varfëria. Një nga objektivat është që personat me aftësi të kufizuara të përballen me më pak barriera gjatë udhëtimeve.

Megjithatë, strategjia përbëhet kryesisht nga rekomandime drejtuar shteteve anëtare. Për pjesën më të madhe të politikës sociale, kompetenca u përket shteteve anëtare dhe jo Bashkimit Evropian. Nga ana e Komisionit Evropian nuk ka fonde shtesë për zbatimin e strategjisë. Në vend të kësaj, fondet që tashmë ekzistojnë duhet të shfrytëzohen më mirë. Si hap i radhës, shtetet anëtare duhet të diskutojnë mbi propozimet. Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, një në pesë vetë në Bashkimin Evropian konsiderohet i rrezikuar nga varfëria. Tek fëmijët, kjo shifër është madje një në katër./DW

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb