Ndër vendimet e fundit ushtarake-strategjike të marra nga qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump, përveç tërheqjes së rreth 5,000 trupave, është edhe anulimi i përkohshëm i vendosjes së planifikuar të raketave amerikane me rreze të mesme veprimi në Gjermani. Këtë e ka konfirmuar së fundi edhe vetë Kancelari Friedrich Merz në një intervistë për televizionin ARD. ]
Kjo ka të bëjë me raketat Tomahawk me një rreze veprimi që shtrihet deri në Rusi. Ekspertët gjermanë besojnë se ky është një problem më i madh sesa tërheqja rreth 5000 trupave, e cila, sipas Pentagonit, duhet të ndodhë në gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm.
Ka “raketa ruse nga Kaliningradi që na kërcënojnë”, thotë Nico Lange, një ekspert i politikave të sigurisë, dhe kujton se Gjermania nuk ka raketa që mund të përbëjnë një “kundërkërcënim”.
“Ne donim t’i merrnim ato nga Amerika, por tani nuk po i marrim”, shpjegon ai. Evropianët duhet “ta arrijnë shpejt këtë aftësi, sepse është thelbësore për sigurinë tonë”, paralajmëron eksperti gjerman në një deklaratë për programin e parë të shërbimit publik ARD.
Vendosja e raketave lundruese Tomahawk me një rreze veprimi deri në 2,500 kilometra u ra dakord në vitin 2024, nën Presidentin e SHBA-së Joe Biden dhe Kancelarin Olaf Scholz. Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius shpjegoi në atë kohë se qëllimi ishte të krijohej një mundësi veprimi derisa Evropa të mund të prodhonte sistemet e veta.
Vendosja e Tomahawk fillimisht ishte planifikuar të fillonte në vitin 2026. Megjithatë, Reuters citoi së fundmi një zyrtar të lartë të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së të thoshte se batalioni për vendosjen e Tomahawk nuk do të dërgohej në Gjermani.
Eksperti i sigurisë Christian Mölling e sheh këtë si një problem të madh dhe thotë se është “në fakt lajm shumë më dramatik”. Sisteme të tilla janë një element qendror i parandalimit, “sepse këto janë raketa të afta të godasin Rusinë jo vetëm kur ajo ka arritur tashmë kufijtë e NATO-s, por edhe shumë më larg – dhe të çaktivizojnë qendrat e saj të komandës”, shpjegon Mölling për ZDF.
Gjermania aktualisht nuk ka armë me rreze kaq të gjata veprimi, as aftësitë e nevojshme të zbulimit. Pasoja është paradoksale: mungesa e këtij batalioni raketash dobëson aftësinë parandaluese të NATO-s.
“Kjo krijon një boshllëk të konsiderueshëm aftësish në aspektin e pengimit të Rusisë, i cili mund të mbyllet vetëm më vonë me armë evropiane”, tha Carlo Masala i Universitetit Bundeswehr në Mynih për numrin e së dielës të gazetës Welt.
Thomas Erndl, përfaqësuesi i grupit parlamentar të Unionit CDU/CSU përgjegjës për politikën e mbrojtjes, i bëri thirrje Ministrit të Mbrojtjes Pistorius që të sigurojë urgjentisht një zëvendësim për raketat Tomahawk.
“Ne vërtet nuk kemi më kohë për të humbur në rrugën drejt një Bundeswehri më të fortë”, kërkoi Erndl në një deklaratë për gazetën Bild. “Ne kemi nevojë”, tha ai, “për më shumë shpejtësi, një plan veprimi afatshkurtër dhe, mbi të gjitha, qasje inovative për të arritur shpejt këtë aftësi, veçanërisht në lidhje me armët me precizion të gjatë.”
Zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të SPD, Siemtje Möller, beson se do të ishte një “shenjë e keqe” nëse raketat me rreze të mesme veprimi nuk do të vendoseshin. Ajo bën thirrje që projekti evropian ELSA të përshpejtohet dhe të shqyrtohet “si mund të kapërcehet hendeku në prodhimin e raketave ELSA përmes bashkëpunimit me vendet e tjera, për shembull me Ukrainën”.
Raketat Tomahawk do të kishin për qëllim forcimin e aftësive parandaluese të Gjermanisë derisa të zhvillohet projekti ELSA – diku midis viteve 2030 dhe 2032. Gjatë kësaj kohe, Ukraina jo vetëm që ka zgjeruar masivisht aftësitë e saj kur bëhet fjalë për dronët – por ky vend, siç pretendon, tani po ndërton edhe raketa të afta për të sulmuar objektiva thellë brenda Rusisë./DW
