Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tentuar të ulë shqetësimet globale pas rasteve të raportuara me hantavirus në bordin e anijes turistike MV Hondius, duke deklaruar se situata nuk përbën rrezik për një pandemi të ngjashme me Covid-19.

Sipas OBSH-së, hantaviruset transmetohen “shumë, shumë ndryshe” nga koronavirusi dhe zakonisht kërkojnë kontakt të zgjatur me burimin e infeksionit. Për këtë arsye, organizata vlerëson se rreziku për shëndetin publik mbetet i ulët.

Deri më tani janë konfirmuar pesë nga tetë rastet e dyshuara, ndërsa të gjithë personat e prekur kanë qenë në bordin e anijes. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se mund të zbulohen edhe raste të tjera, pasi periudha e inkubacionit të sëmundjes mund të zgjasë deri në gjashtë javë.

OBSH-ja thekson se niveli i rrezikut mbetet i ulët edhe për Ishujt Kanarie, destinacioni drejt të cilit po lundron aktualisht anija.

Ndërkohë, hetimet për shpërthimin janë ende në vazhdim. Sipas të dhënave paraprake, çifti që dyshohet se u infektua i pari kishte vizituar zona ku ishte e pranishme një specie miu e njohur si bartëse e hantavirusit. Autoritetet po vijojnë gjurmimin e kontakteve dhe analizimin e rrethanave të infektimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb