Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, ka dalë me një deklaratë për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 7 majit 2026, në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili dhe u plagos një tjetër shtetas.
Sipas deklaratës zyrtare, Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e Rexhep Ismailit dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.
Gjatë përplasjes, viktima Rexhep Ismaili dyshohet se ka qëlluar me armë automatike ndaj grupit të Tabakut, ndërsa më pas është qëlluar me pistoletë nga ky i fundit, duke humbur jetën në vend.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli, i cili është vetë dorëzuar ditën e sotme në polici dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se pas ngjarjes janë larguar nga vendi i krimit të gjithë personat e përfshirë, ndërsa dyshohet se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, ka fshehur një armë zjarri automatike me të cilën qëlloi vëllai i ndjerë, së bashku me municion, e cila më pas është sekuestruar nga policia.
Deklarata e plotë e drejtorit të policisë Vlorë
Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.
Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.
Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit: Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë dejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.
Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima, Rexhep Ismaili, ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt.
Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi Lulzim Tabaku, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Rexhep Ismaili, i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi Kostandin Vogli.
Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi Hajredin Ismaili, ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi Lulzim Tabaku. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit:
Lulzim Tabaku, 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
- C., 40 vjeç, E. M., 19 vjeç, K. V., 31 vjeç, M. A., 22 vjeç dhe E. Sh., 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Si dhe u proceduar penalisht shtetasi H. I. (Hajredin Ismaili) 60 vjeç, vëllai i viktimës.
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.
Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.
Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët.
