The Wall Street Journal ka raportuar se Izraeli ka ngritur një bazë sekrete në shkretëtirën e Irakut për të mbështetur operacionet kundër Iranit, duke përdorur objektin si qendër logjistike dhe strehë për forcat speciale izraelite.
Sipas raportit, baza është ndërtuar me dijeninë e SHBA pak para nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Objekti thuhet se shërbente edhe për ekipe kërkim-shpëtimi, të gatshme të ndihmonin pilotët izraelitë në rast se avionët e tyre rrëzoheshin gjatë misioneve.
Raporti citon burime të njohura me çështjen, përfshirë zyrtarë amerikanë, ndërsa agjencia Reuters thekson se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet.
Sipas gazetës amerikane, ekzistenca e bazës pothuajse u zbulua në fillim të marsit, kur një bari vendas raportoi aktivitet të pazakontë ushtarak në zonë, përfshirë fluturime helikopterësh. Pas kësaj, trupat irakiane u dërguan për të hetuar.
Burimet pretendojnë se forcat izraelite ndërhynë me sulme ajrore për të mbajtur larg trupat irakiane dhe për të parandaluar zbulimin e bazës sekrete.
Më vonë gjatë muajit mars, OKB mori një ankesë nga Iraku, ku pretendohej se sulmet ishin kryer nga forca të huaja dhe i atribuoheshin SHBA-së. Megjithatë, një burim i cituar nga Wall Street Journal deklaroi se SHBA nuk kishte qenë e përfshirë drejtpërdrejt në sulm.
