Duke nisur nga mëngjesi i së hënës, 11 maj, një zhvillim pozitiv vjen për banorët e jugut të Shqipërisë, emigrantët dhe turistët që përdorin pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës për të lëvizur drejt Greqisë dhe anasjelltas.

Dogana greke e Mavromatit në PKK Qafë Botë ka njoftuar zyrtarisht zgjatjen e orarit të shërbimit për kalimin e qytetarëve dhe automjeteve.

Sipas njoftimit, pika kufitare do të funksionojë nga ora 05:00 deri në 23:00 me orën shqiptare, ose nga ora 06:00 deri në 24:00 me orën greke.

Ky ndryshim në orar pritet të sjellë lehtësim të ndjeshëm për flukset e lëvizjes së përditshme, si dhe për turistët, sidomos gjatë sezonit veror dhe ditëve festive, kur edhe numri i kalimeve rritet ndjeshëm.

Njëherësh, zgjatja e orarit pritet të ndikojë edhe në uljen e radhëve dhe përmirësimin e qarkullimit në momentet e pikut në këtë pikë të rëndësishme kufitare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb