Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në një konferencë për Prokurimet Publike një sistem të ri digjital të bazuar në inteligjencë artificiale, që sipas tij do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e zhvillimit të tenderave në vend.

Rama bëri të ditur se projekti synon të automatizojë pjesë të rëndësishme të procesit të prokurimeve, duke eliminuar ndërhyrjen manuale të zyrtarëve dhe duke rritur transparencën. Sipas tij, sistemi i ri do të sjellë një transformim të plotë të mënyrës së prokurimit publik, ku bizneset nuk do të kenë më nevojë të dorëzojnë dokumente të shumta dhe proceset nuk do të varen nga vendimmarrja individuale e nëpunësve.

Rama theksoi gjithashtu se mbi 40 regjistra publikë janë tashmë të digjitalizuar dhe do të integrohen në sistem, duke mundësuar akses të shpejtë dhe një proces më të thjeshtuar për kompanitë.
Ai shtoi se projekti është unik në llojin e tij dhe synon të vendosë standarde të reja në administrimin e prokurimeve publike, duke reduktuar ndjeshëm hapësirat për abuzim dhe ndërhyrje njerëzore.

“U përpoqëm ta bëjmë sa më të përmbledhur pasqyrën. Një e dhënë për shembull që është një tregues i rëndësishëm i transformimit, është rritja e numrit të kompanive fituese në raport me numrin e procedurave. Ka shumë më tepër akses në kontratat publike, që kundërshton narrativën e jetës së përditshme mediatike.
Është narrativë e imponuar nga një shumicë e qëndrueshme burimesh që janë haptazi kundër qeverisë. Është tregues pozitiv. Por është anomali e bukur sipas këndvështrimit tim dhe bie ajo pjesa e ‘mediave të kapura’. Mund të jetë krijuar një opinion sikur Diella bën punën që ka bërë më parë dhe fle, në fakt jo. Jemi në një fazë të re të procesin pasi janë hartuar gjatë gjithë kësaj periudhe 450 faqe specifikime teknike të detajuara që kanë punuar ekspertë të zotë vendas. Këto faqe janë vënë pastaj nën shqyrtimin e Bankës botërore që ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile, për certifikimin pa kundërshtim të çdo projektit ku ajo merr pjesë për financim. Tani më jemi gati të kalojmë në ndërtimin e një sistemi tërësisht unikal, të prokurimit publik, me inteligjencë artificiale. Ky është projekti i parë i këtij lloji dhe mundëson prokurimit me inteligjencën artificiale me një masë të madhe të procesit. Do të bëjë të mundur që asnjë biznes të mos detyrohet më të mbledh letra. Asnjë nënpunës nuk do të ketë më në dorë të luajë me letrat e biznesit, por të dhënat të mblidhen nga vetë Diella. Mbi 40 regjistra publikë janë të digjitalizuar dhe më pas të jenë në dorë të biznesit për t’u aktivizuar me një ‘click’.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: