Qeveria e SHBA njoftoi të premten vendosjen e sanksioneve ndaj tre individëve dhe nëntë kompanive, të dyshuara për përfshirje në lehtësimin e eksporteve të naftës iraniane drejt Kinës.
Sipas Departamentit të Thesarit, kompanitë e sanksionuara ndodhen në Hong Kong, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman.
Vendimi erdhi pasi SHBA shpalli gjithashtu masa ndëshkuese ndaj individëve dhe kompanive që dyshohet se kanë ndihmuar Iranin në sigurimin e armëve dhe komponentëve të përdorur për prodhimin e dronëve dhe raketave balistike.
Sanksionet u vendosën vetëm disa ditë para vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Kinë, ku ai pritet t’i kërkojë homologut të tij Xi Jinping të ndihmojë në zgjidhjen e krizës me Iranin dhe në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessant, deklaroi se administrata Trump do të vazhdojë të shtojë presionin ndaj Teheranit.
“Administrata do të vazhdojë t’i mohojë regjimit iranian dhe Gardës Revolucionare burimet financiare për programin bërthamor, pajisjet ushtarake dhe mbështetjen e grupeve aleate në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Bessant shtoi se Departamenti i Thesarit do të vazhdojë të shkëpusë Iranin nga rrjetet financiare që, sipas Uashingtonit, përdoren për financimin e terrorizmit dhe destabilizimin e ekonomisë globale.
