Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar procesi gjyqësor ndaj Artan Tafani, ku sot është dëgjuar dëshmia e një dëshmitari okular për atentatin ndaj Kujtim Metës, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2022 në Lushnjë.

Dëshmitari ka rrëfyer se e njihte Kujtim Metën dhe banonin në të njëjtën lagje. Sipas tij, ditën e ngjarjes ndodhej në një lokal pranë Stacioni i Trenit Lushnjë, ku po pinte kafe së bashku me vëllanë e tij.

Ai ka deklaruar se në momentin e atentatit një person i maskuar ka hyrë në lokal, duke shkaktuar panik.

“Dëgjova ‘pau, pau’ dhe jam fshehur poshtë tavolinës”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se ka dëgjuar të shtëna armësh dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Sipas dëshmisë, viktima ndodhej disa tavolina larg tij, përballë hyrjes së lokalit. Pas të shtënave, ai dhe vëllai i tij janë rikthyer në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e Kujtim Metës drejt spitalit, së bashku me pronarin e lokalit.

Dëshmitari ka treguar gjithashtu se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites dhe se atentatori ishte i maskuar, ndërsa momentet e ngjarjes kanë shkaktuar traumë te vëllai i tij.

Procesi ndaj Artan Tafanit vijon në GJKKO, ku pritet të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë lidhur me atentatin dhe rrethanat e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb