Dinamo fitoi 3-2 ndaj Egnatias në finalen e Kupës së Shqipërisë. Pas takimit të luajtur në “Air Albania” nuk ka munguar tensioni. Protagonist ishte trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja dhe arbitri i ndeshjes, Enea Jorgji.
Takim ky ku gjyqtari ka patur mjaft punë, pasi në fillim të sfidës u ndërpre përkohësisht ndeshja për një dëmtim të portierit Teqja, ndërsa janë dhënë dhe dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër.
Sa i takon përplasjes, gjithçka nisi me një karton të kuq që iu dha nga gjyqtari Enea Jorgji në minutat e fundit.
Daja largoi topin që i përkiste Egnatias dhe në ato momente Jorgji i nxori të kuqin. Më pas kishte tension mes dy pankinave dhe Daja u shfaq tejet i tensionuar me kryesorin që i kërkonte të largohej nga fusha, aq sa u desh ta mbanin nga krahët për ta çuar drejt dhomave të zhveshjeve. Por gjithçka nuk mbaroi këtu, pasi pas vërshëllimës përfundimtare, Daja u kthye në fushë për të festuar me ekipin. Megjithatë, gjëja e parë që ai bëri ishte të hynte në fushë e t’i drejtohej përsëri Jorgjit, duke u përplasur me kryesorin dhe vetëm ndërhyrja e stafit të tij e ndau nga kryesori.
Pavarësisht këtyre, e gjithë festa në fund i takon Dinamos që merr trofeun e 15-të në histori.
View this post on Instagram
