Në një vizitë të mbushur me simbolikë, Donald Trump dhe Xi Jinping u ngjitën së bashku në shkallët e Tempullit historik të Qiellit në Pekin, në kuadër të samitit mes dy fuqive më të mëdha botërore. “Është një vend i mrekullueshëm, i pabesueshëm”, i tha Trump homologut kinez ndërsa të dy liderët pozuan përpara sallës ikonike qendrore të kompleksit. “Kina është e bukur”, shtoi presidenti amerikan.
Temple of Heaven është një nga monumentet më të rëndësishme historike të Kinës, ku perandorët e dinastive Ming dhe Qing kryenin rituale dhe lutje për të korra të bollshme. Kompleksi ndodhet rreth 7 kilometra në jug të Forbidden City dhe u ndërtua në vitin 1420 gjatë sundimit të Perandorit Yongle. I rrethuar nga pisha dhe selvi shekullore, Tempulli i Qiellit është sot një nga destinacionet turistike më të njohura në Pekin, ku qytetarët praktikojnë tai chi, luajnë shah apo kërcejnë në parkun historik. Në vitin 1998 ai u shpall pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Vizita e Trump dhe Xi në këtë vend me rëndësi të veçantë historike shihet si një mesazh simbolik në prag të bisedimeve me rëndësi të lartë mes dy vendeve. Për Xi Jinping, pritja e presidentit amerikan në këtë ambient synon të tregojë historinë dhe fuqinë kulturore të Kinës. Historiani me bazë në Pekin, Lars Ulrik Thom, u shpreh se “është një sfond shumë i mirë për t’i treguar Donald Trump-it dhe botës se Kina është këtu dhe ka qenë këtu për mijëra vjet”.
Ndërkohë, për Trump, vizita lidhet edhe me interesat ekonomike dhe tregtare, pasi bujqësia pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve, me fermerët amerikanë që kërkojnë zgjerim të tregut kinez për sojën, kulturat bujqësore dhe mishin amerikan. Kjo nuk është hera e parë që Xi përdor simbolikën historike në raport me Trump. Në vitin 2017, presidenti kinez dhe bashkëshortja e tij organizuan një tur privat për Trump dhe Melania Trump në Qytetin e Ndaluar, rezidencën e lashtë të perandorëve kinezë.
