Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari deklaroi në seancë plenare se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, duke theksuar se procesi i integrimit europian po shoqërohet me reforma konkrete dhe rezultate të matshme.
Në fjalën e tij, ministri evidentoi miratimin e një sërë ligjesh dhe reformash në luftën kundër krimit të organizuar, forcimin e kontrollit të kufijve, përafrimin me standardet e Shengenit, si dhe ngritjen e strukturave të reja në përputhje me angazhimet ndaj Bashkimit Europian.
Fjala e plotë:
Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë nuk është më një objektiv aq sa politik, por një proces konkret transformimi të shtetit, të shoqërisë shqiptare, të institucioneve dhe standardeve të sigurisë. Në këtë kuadër, Kapitulli 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, përfaqëson një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe më sfidues të negociatave me Bashkimin Europian. Ministria e Punëve të Brendshme ka një rol kyç në këtë proces dhe sot mund të themi me përgjegjësi që Shqipëria ka bërë progres të dukshëm dhe të matshëm në përmbushjen e piketave të ndërmjetme të këtij kapitulli. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë miratuar në total plot 15 ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave, si dhe po aq, apo edhe më shumë, urdhra dhe udhëzime. Në luftën kundër krimit të organizuar janë ndërmarrë reforma të forta ligjore dhe institucionale.
Ndryshimet në Kodin Penal kanë forcuar goditjen ndaj trafikut të qenieve njerëzore, pastrimit të parave, krimeve seksuale ndaj fëmijëve në internet dhe trafikimit të drogës. Paralelisht, është ngritur dhe institucionalizuar Zyra e Rikuperimit të Aseteve, e cila është zyra përgjegjëse për gjurmimin dhe identifikimin e pasurive me origjinë kriminale. Po ashtu, Shqipëria ka avancuar ndjeshëm në kontrollin e armëve të zjarrit dhe në mbrojtjen e viktimave të trafikimit përmes strategjive të reja kombëtare dhe procedurave standarde të veprimit në përputhje me standardet më të mira të BE. Në fushën e luftës kundër drogës, janë forcuar mekanizmat e monitorimit dhe paralajmërimit të hershëm duke përfshirë këtu edhe ngritjen e strukturave të dedikuara në Policinë e Shtetit, sistemi i paralajmërimit të hershëm, i cili është një agjenci homologe ashtu si edhe në vendet e BE.
Ndërkohë, në fushën e migracionit, kufijve dhe politikës së vizave, Shqipëria ka bërë hapa shumë të rëndësishëm drejt standardeve të Shengenit. Janë miratuar ligje të reja për kontrollin e kufirit shtetëror dhe për sistemin API/PNR, kur është miratuar plani i veprimit Shengen, si dhe po zbatohet aktualisht strategjia kombëtare e migracionit 2024 – 2030. Një element me rëndësi të veçantë është edhe përafrimi gradual i politikës sonë të vizave me atë të BE, përfshirë revokimin e regjimeve pa viza me vende që nuk përputheshin me politikën e përbashkët evropiane.
Sigurisht, puna nuk ka përfunduar, kemi ende angazhime në proces, si përfshirë këtu finalizimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar dhe krimeve të rënda 2026 – 2030, si dhe miratimin e disa akteve nënligjore. Nga ana tjetër, do të theksoja një strukturë të re, e cila ngrihet për herë të parë në Shqipëri, Qendra për të Miturit e Pashoqëruar dhe kjo në përmbushje të detyrimeve dhe angazhimeve të marra, karshi Komisionit Europian.
Por, ajo që ka rëndësi është fakti se Shqipëria, sot nuk po ecën vetëm me premtime apo slogane siç u tha edhe në këtë sallë, por me rezultate konkrete, të dokumentuara dhe të njohura dhe të vlerësuara nga vetë Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE. Ky progres është dëshmi se institucionet shqiptare janë të afta, të ndërtojnë standarde europiane sigurie, drejtësie dhe të shtetit të së drejtës.
Të dashur qytetarë,
rruga drejt Bashkimit Europian kalon përmes reformave, rezultateve dhe besueshmërisë që ne ngremë edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Shqipëria jonë e përbashkët po i dëshmon të treja këto. Shumë faleminderit!
