Politologu Ermal Hasimja, nga Forumi për Dialog Politik, i ftuar në programin e drekës në News24, ka folur lidhur me përpjekjet për ndërmjetësim mes partive të opozitës për Kodin Zgjedhor.
Hasimja tha se “Shqipëria Bëhet” ka propozuar sistemin proporcional kombëtar, i cili është pranuar nga Partia Demokratike, duke theksuar se brenda PD nuk ka pasur kundërshtime të forta për këtë model.
“PD ka qenë e hapur, s’ka pasur ndonjë kundërshtim. Ne kemi ndjekur kritikat e Agron Shehajt për pragun 4%. Ka pasur komunikim të pakët me Mundësinë dhe Lëvizjen Bashkë, dhe disa kundërshti prej tyre i kemi parë përmes mediave,” u shpreh Hasimja.
Ai shtoi se në raport me Partinë Demokratike, komunikimi bëhet kryesisht me kryetarin Sali Berisha, i cili më pas diskuton me krerët e aleatëve tradicionalë të opozitës.
Sipas tij, për Kodin Zgjedhor ekziston një presion i vazhdueshëm ndërkombëtar për bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa theksoi se nuk mund të ketë vendimmarrje të njëanshme nga shumica parlamentare.
“Nuk mund të vendosë mazhoranca në mënyrë të njëanshme, pa marrë propozimet e palës tjetër, sidomos kur ato janë të unifikuara,” tha ai.
Hasimja nënvizoi se fokusi kryesor duhet të jetë bashkëpunimi mes partive politike për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për reformën zgjedhore.
