Një incident i rëndë është raportuar sot në Skënderaj, ku përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) pretendojnë se janë sulmuar fizikisht në një lokal në qendër të qytetit.

Sipas një reagimi të LVV-së, ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku zëvendësministri i Financave të Kosovës dhe kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani, ishte duke qëndruar së bashku me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë të partisë.

Sipas këtij versioni, Mehani fillimisht është goditur me grusht, ndërsa më pas është goditur edhe me një gotë në kokë. Në incident, sipas deklaratës, është përfshirë edhe një tjetër anëtar i strukturës lokale të LVV-së, i cili ka tentuar të ndërhyjë për të ndalur përshkallëzimin e situatës.

Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa LVV ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet e rendit për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave ligjore ndaj përgjegjësve. Në reagim, LVV e ka cilësuar sulmin si të papranueshëm dhe ka kërkuar distancim nga akti, duke i bërë thirrje edhe partive të tjera politike ta dënojnë incidentin. Nga ana tjetër, LVV ka theksuar se, pavarësisht ngjarjes, aktivistët e saj nuk do të frikësohen dhe do të vazhdojnë aktivitetin politik në terren.

REAGIMI
Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së.

Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor.

Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: