Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka shoqëruar Presidentin amerikan Donald Trump në një turne të veçantë në Zhongnanhai, kompleksin e ruajtur me siguri të lartë ku jetojnë dhe punojnë udhëheqësit më të lartë kinezë. Vizita konsiderohet si momenti kryesor i ditës së fundit të Trump në Pekin, përpara rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Pas shëtitjes, dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Trump deklaroi se bisedimet mes tyre janë fokusuar te tregtia, Irani dhe “shumë çështje të tjera”.

“Zgjidhëm gjëra që të tjerët nuk mundën. Nuk duam që Irani të ketë armë bërthamore dhe duam që ngushtica të mbetet e hapur”, u shpreh Trump, duke iu referuar tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rëndësisë strategjike të Ngushticës së Hormuzit.

Nga ana tjetër, Xi tha se mes dy vendeve është krijuar një “marrëdhënie e re dypalëshe”.

Disa orë më herët, në një intervistë për Fox News, Trump zbuloi se Xi kishte premtuar të mos furnizonte Iranin me pajisje ushtarake, edhe pse Kina do të vazhdojë të blejë naftë iraniane.

Trump deklaroi gjithashtu se Kina ka rënë dakord të blejë naftë amerikane dhe rreth 200 avionë Boeing, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

“Bisedimet tregtare shkuan më mirë se herën e fundit”, tha Trump, ndërsa shtoi se biznesmenët amerikanë që e shoqëruan në Pekin ndodheshin aty për të “bërë marrëveshje” dhe për të “siguruar vende pune”.
Presidenti amerikan përmendi edhe vizitën e mundshme të Xi në SHBA më 24 shtator, duke theksuar se pret që lideri kinez të mbetet po aq i impresionuar nga Amerika, sa ai nga Kina gjatë kësaj vizite.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb