Nga data 10 qershor 2026 hyn në fuqi skema e re për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Administrata Tatimore ka bërë të ditur se bizneset dhe tatimpaguesit do të kenë mundësi të përfitojnë falje të pjesshme ose të plotë të borxheve, në varësi të periudhës kur janë krijuar detyrimet.
Sipas njoftimit tw botuar tashmw nw fletoren zyrtare, për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 do të bëhet fshirje e plotë e tatimeve të papaguara, gjobave dhe kamatëvonesave. Përjashtim bëjnë vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për borxhet e viteve 2015–2019, tatimpaguesit kanë dy mundësi për të përfituar:
• nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, u falet 50% tjetër;
• nëse paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026, u falet 25% e mbetur.
Në të dy rastet, fshihen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.
Ndërsa për detyrimet e periudhës 2020–2024 nuk falet detyrimi principal, por do të fshihen gjobat dhe interesat, me kusht që tatimi të paguhet i plotë deri më 31 dhjetor 2026.
Ligji parashikon edhe lehtësi të tjera për subjektet e mbyllura deri në fund të vitit 2024, si dhe falje të gjobave për deklarime të vonuara, dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare apo penalitete administrative të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.
Brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit, do të hartohet lista e subjekteve që përfitojnë nga falja e detyrimeve. Njoftimet do t’u dërgohen tatimpaguesve elektronikisht përmes sistemit “e-Filing”.
