Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për vdekjen e pesë zhytësve italianë në Atollin Vaavu në Maldives, të cilët humbën jetën në shpellën nënujore të Alimathaa, por deri tani nuk ka një skenar të qartë që shpjegon plotësisht ngjarjen. Sipas raportimeve, po shqyrtohen disa hipoteza kryesore për tragjedinë.
Një prej tyre është se zhytësit mund të kenë humbur orientimin brenda shpellës dhe të jenë bllokuar për shkak të kushteve të vështira nën ujë. Megjithatë, kjo teori ngjall dyshime, pasi disa prej viktimave ishin zhytës shumë të përvojë, çka e bën të vështirë supozimin për një gabim bazik. Një tjetër version lidhet me mundësinë e ekspozimit ndaj oksigjenit toksik ose përzierjeve problematike në cilindrat e ajrit, që mund të kenë shkaktuar humbje të menjëhershme të vetëdijes së gjithë grupit në të njëjtën kohë.
Sipas ekspertëve të zhytjes, një skenar i tillë do të shpjegonte pse asnjë nga pesë zhytësit nuk arriti të dalë në sipërfaqe apo të kërkojë ndihmë. Shpella nënujore e Alimathaa përshkruhet si një kanal koralesh rreth 260 metra i gjatë dhe deri në 60 metra i thellë, me kalime të ngushta dhe dukshmëri të kufizuar. Hetuesit kanë arritur deri tani të nxjerrin një prej trupave, ndërsa kërkimet vazhdojnë për katër të tjerët.
Ngjarja është ndërlikuar edhe nga kushtet e motit, pasi para zhytjes ishte paralajmëruar erë e fortë deri në 50 km/h, që mund të ketë ndikuar në turbullimin e ujit dhe uljen e dukshmërisë nën det. Ekspertë të zhytjes theksojnë se në kushte të tilla, edhe profesionistët mund të humbasin orientimin shpejt, ndërsa paniku dhe konsumimi i shpejtë i ajrit e bëjnë daljen nga shpella edhe më të vështirë. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se çfarë ndodhi realisht me grupin e zhytësve në një nga incidentet më misterioze të fundit në zonë.
