Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit që të arrijë sa më shpejt një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa në mediat amerikane po qarkullojnë raportime se Uashingtoni po shqyrton rifillimin e bombardimeve.
Në një intervistë për rrjetin francez BFMTV, Trump paralajmëroi se Teherani do të përballet me “kohë shumë të vështira” nëse nuk pranon një marrëveshje, duke lënë të kuptohet se tensionet mund të përshkallëzohen më tej.
“Nuk e di nëse do ta bëjnë. Por nëse nuk e bëjnë, do të kalojnë një periudhë shumë të vështirë. Kanë interes të arrijnë një marrëveshje”, deklaroi presidenti amerikan.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ndërsa New York Times raportoi më herët se SHBA-ja dhe Izraeli janë përfshirë në “përgatitje intensive” për një rifillim të mundshëm të operacioneve ushtarake kundër Iranit.
