Një prej katër kanadezëve të vendosur në karantinë në Vancouver, pas ekspozimit ndaj shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike “MC Hondius”, ka rezultuar pozitiv me virusin.
Lajmi u konfirmua nga zyrtarja provinciale e shëndetësisë në British Columbia, Dr. Bonnie Henry, e cila bëri të ditur se personi i infektuar, me origjinë nga Yukon, kishte shfaqur simptoma të lehta dy ditët e fundit, përfshirë temperaturë dhe dhimbje koke.
Katër shtetasit kanadezë që ndodheshin në bordin e anijes mbërritën në Victoria më 10 maj dhe u vendosën menjëherë në izolim për të paktën 21 ditë. Ndërkohë, dy persona të tjerë që ishin kthyer më herët në Kanada po qëndrojnë në karantinë në Ontario.
Edhe pse deri tani vetëm një rast është konfirmuar pozitiv, autoritetet shëndetësore kanë bërë me dije se tre nga katër personat në izolim në ishullin Vancouver po mbahen nën monitorim në spital.
Shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike ka shkaktuar shqetësim të madh, ndërsa deri më tani raportohet se tre persona që ndodheshin në bord kanë humbur jetën.
