Lagjja 18 në Korçë është rrethuar nga forcat e rendit pas dyshimeve për një mjet të dyshimtë të parkuar në zonë.
Një automjet është bërë objekt kontrolli nga policia pasi dyshohet se mund të jetë vendosur lëndë plasëse në të. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat xheniere anti-eksploziv për të kryer verifikimet e nevojshme.
Pas kontrollit ka rezultuar se nuk bëhej fjalë për eksploziv, por një GPS.
Mësohet se janë sekuestruar të gjitha kamerat e zonës për të evidentuar personin që ka vendosur GPS. Ndërkohë pronari i mjetit ndodhet në komisariat për deklarim.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 09.00 të datës 17.05.2026, në lagjen nr. 18, Korçë, në rrugën “Petraq Shomo”, në gomën e pasme të automjetit në pronësi të shtetasit G. P., është konstatuar një pako, e cila dyshohej se mund të kishte lëndë eksplozive.
Policia rrethoi zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth.
Në vendngjarje shkuan Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe për të kryer procedurat e nevojshme.
Nga kontrolli i kryer nga këto shërbime, rezultoi se objekti i vendosur në automjet ishte një aparat GPS dhe jo lëndë plasëse.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që ka vendosur aparatin GPS.
