Fundi i një epoke në “Etihad”. Pep Guardiola do të largohet nga Manchester City në përfundim të këtij sezoni, duke mbyllur një nga ciklet më të suksesshme në historinë moderne të futbollit anglez.

Edhe pse “Citizens” janë ende në garë të fortë me Arsenalin për titullin kampion në Premier League, vendimi i teknikut spanjoll tashmë duket i pakthyeshëm. Ndeshja e së dielës ndaj Aston Villas pritet të shndërrohet në një pasdite emocionesh për tifozët e City-t, të cilët do t’i japin lamtumirën trajnerit që ndryshoi historinë e klubit.

Guardiola largohet pas 10 sezonesh të jashtëzakonshme, ku e ktheu Manchester Cityn në një superfuqi të futbollit europian. Në vitrinën e klubit ai la gjashtë tituj kampionë në Premier League, pesë Kupa të Ligës, tre FA Cup, tre Community Shield dhe mbi të gjitha Champions League-in e parë në historinë e City-t. Bilanci plotësohet edhe me Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit kanë vendosur edhe pasuesin. Stolin e Manchester Cityt do ta marrë Enzo Maresca, një emër i njohur për ambientin “citizen”, pasi ka qenë zëvendëstrajner i Guardiolës në sezonin historik të “Tripletës”. Ish-mesfushori italian rikthehet kështu në Manchester pas eksperiencës me Chelsean, me të cilin fitoi Botërorin për Klube verën e kaluar. Për Marescan është gati një kontratë trevjeçare dhe sfida më e madhe e karrierës së tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb