Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, në sesionin e 79 të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë dhe gjatë takimeve me homologë të vendeve pjesëmarrëse, theksoi angazhimin e Shqipërisë dhe prioritet kyçe për ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të fortë, modern dhe të qëndrueshëm për qytetarët.

Duke u ndalur tek sfidat globale me të cilat përballen sistemet shëndetësore, ministrja Sala nënvizoi se shëndeti nuk mund të trajtohet i ndarë nga zhvillimi social, ekonomik dhe siguria publike, ndërsa vlerësoi rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në forcimin e sigurisë shëndetësore globale.

“Shqipëria mbështet fuqimisht rolin e OBSH-së si një shtyllë kyçe e arkitekturës globale të shëndetit, veçanërisht në forcimin e sigurisë shëndetësore, avancimin e mbulimit universal dhe mbështetjen e vendeve anëtare me ekspertizë dhe politika të bazuara në të dhëna”, u shpreh ministrja Sala.

Në fjalën e saj, ministrja prezantoi prioritetet kryesore të reformës në shëndetësi, duke theksuar forcimin e kujdesit shëndetësor parësor, transformimin digjital të sistemit dhe investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore dhe rritjen e kapaciteteve të personelit shëndetësor.

“Po forcojmë kujdesin shëndetësor parësor me fokus te diagnostikimi i hershëm, menaxhimi i sëmundjeve kronike dhe ofrimi i shërbimeve më pranë qytetarëve. Në Ditën Botërore të Mjekut të Familjes, dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë mjekët e familjes që shërbejnë me përkushtim në të gjithë vendin”, tha ajo.

Ministrja Sala theksoi gjithashtu rëndësinë e transformimit digjital përmes zgjerimit të shërbimeve elektronike dhe përdorimit të të dhënave për politika më efikase, si dhe rritjen e ndërveprimit mes institucioneve shëndetësore, në funksion të një sistemi më transparent dhe më të shpejtë për qytetarët.

Ajo theksoi investimet  në modernizimin e infrastrukturës spitalore dhe në forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor, duke e konsideruar kapitalin njerëzor si elementin më të rëndësishëm të sistemit tonë të shëndetit, ndërsa theksoi rritjen e  kapaciteteve  për gatishmëri dhe reagim ndaj emergjencave shëndetësore.

“Ndryshimet klimatike, pabarazitë sociale, zhvillimet demografike dhe siguria digjitale ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve dhe kërkojnë përgjigje të koordinuara”, deklaroi ministrja Sala.

Në përfundim, ministrja Sala vlerësoi bashkëpunimin me OBSH për Evropën dhe nismat rajonale si mekanizma që forcojnë solidaritetin dhe dialogun mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë aktivisht për sisteme shëndetësore më të forta, më të drejta dhe më të qëndrueshme për të gjithë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb