COELA ia kalon Coreper raportin e IBAR për Shqipërinë, ndërsa pritet në vijim edhe vlerësimi për dokumentin lidhur me progresin e Shqipërisë, si vend kandidat për në BE. Lajmi konfirmohet nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Në një dalje për mediat, Gogu ka deklaruar se procesi i lidhur me IBAR ka shënuar progres të rëndësishëm, duke theksuar se dokumenti ka kaluar një fazë të re në strukturat e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, IBAR është miratuar nga COELA dhe tashmë është kaluar te grupi i ambasadorëve, duke hyrë në një nivel më të lartë vendimmarrjeje brenda institucioneve të BE-së. “IBAR është tashmë në duart e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo tregon se procesi po lëviz përpara,” u shpreh Gogu.

Ai theksoi se cilësia e reformave të ndërmarra po vlerësohet në raport dhe se kalimi i IBAR nga një nivel teknik në një grup vendimmarrës përbën një hap pozitiv për procesin e integrimit. Gogu nënvizoi gjithashtu se zhvillimet tregojnë një progres të qëndrueshëm në rrugën e integrimit evropian.

“Në 18 muajt e fundit, 70 institucione janë koordinuar dhe janë dërguar mbi tetë mijë faqe dokumentacion. IBAR është një proces që tashmë ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve anëtare dhe tregon se procesi po ecën përpara, duke pasur mbështetje faktike dhe institucionale për çdo masë nga ana jonë. Besoj se, në fund të ditës, ky raport, i cili ka vlerësuar masat tona, lidhet me rezultatet që ne duam të shohim në vijim nga sistemi i drejtësisë. Cilësia e reformave vlerësohet në atë raport. Në lidhje me sistemin e drejtësisë dhe backlog-un, dje prezantuam një anketë rajonale ku del qartë progresi i reformës në drejtësi në Shqipëri. Besimi i qytetarëve është dyfishuar, në 53%; pavarësia e sistemit është rritur me 30%; vetë reforma perceptohet pozitivisht, ndërsa perceptimi negativ ka rënë. Shifra negative është ajo që ka të bëjë me backlog-un, sepse qytetarët e shohin sistemin të vështirë për ta përballuar financiarisht. Po shohim shenjat e para pozitive të kthimit të prirjeve në sistem dhe të uljes së çështjeve të mbartura.

Kemi vendosur së bashku me ekipin drejtues të ministrisë tri prioritete strategjike. I pari është fuqizimi i garancive procedurale dhe i të drejtave të njeriut në procesin e drejtësisë; i dyti, rritja e eficiencës së sistemit gjyqësor; si dhe rritja e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Kemi harmonizuar statistikat; numrat do t’i lexojmë njësoj. Po rriten kapacitetet njerëzore në gjykata, numri i këshilltarëve ligjorë po rritet në të gjitha nivelet e gjykatave, hapësirat janë shtuar dhe presim që të ecë përpara ndërtimi i godinës së re për Gjykatën e Apelit. Masë tjetër që ministria po konsideron është nxitja e zgjidhjeve jashtëgjyqësore, siç është ndërmjetësimi”, tha Gogu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: