Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur regjimin nw Kubw si kërcënim për stabilitetin në rajon.
Në mesazhin e tij, Trump përshkruan historinë e Kubës si një rrugëtim drejt lirisë, duke nderuar periudhën e hershme të shtetformimit të ishullit dhe duke theksuar se “dashuria për liri” e popullit kuban ka mbijetuar pavarësisht regjimit aktual.
Megjithatë, ai e sulmon ashpër qeverinë në Havana, duke e akuzuar për shtypje politike, mungesë zgjedhjesh të lira, censurë dhe keqmenaxhim ekonomik, të cilin e përshkruan si rezultat të “ideologjive të majta radikale”.
Sipas deklaratës, administrata amerikane ka ndërmarrë masa për të kufizuar mbështetjen ekonomike dhe financiare ndaj qeverisë kubane, si dhe ka vendosur sanksione ndaj strukturave ushtarake dhe të inteligjencës së vendit, me argumentin e sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Trump pretendon se Uashingtoni ka vepruar edhe ndaj rrjeteve rajonale që, sipas tij, mbështesin destabilizimin e hemisferës perëndimore, duke paralajmëruar se SHBA nuk do të tolerojë “shtete që veprojnë si kërcënim vetëm pak milje larg territorit amerikan”.
Deklarata përmend gjithashtu mbështetjen për popullin kuban dhe komunitetin kubano-amerikan në SHBA, duke e mbyllur me mesazhin se Uashingtoni shpreson për një “epokë të re lirie” për ishullin.
