Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po shmang përballjen në Kuvend për shkak të aferave korruptive dhe akuzave për abuzim me fondet publike.

Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Parlamentit në seancën plenare të kësaj të enjteje, Berisha kërkoi llogari nga drejtuesit e Kuvendit dhe deputetët socialistë për mungesat e vazhdueshme të Ramës në seanca, sidomos në rastet kur opozita ka kërkuar interpelanca.

Sipas kryedemokratit, mungesa e kryeministrit nuk është rastësi, por përpjekje për t’iu shmangur debatit publik dhe akuzave të opozitës.

“Rama ka frikë dhe tmerr nga e vërteta e vjedhjeve të tij dhe për këtë arsye nuk paraqitet në seanca”, deklaroi Berisha.

Ai u ndal edhe te çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën tha se tashmë edhe partnerët europianë e kanë kuptuar se po mbrohet politikisht nga Rama.

Sipas Berishës, mbrojtja që mazhoranca po i bën Ballukut lidhet me afera të mëdha korruptive dhe me përdorimin abuziv të fondeve publike.

“Nëse për të 8 apo 10 herë shkelet në parlament neni 80 i kushtetutë që detyron kryeministrin të paraqitet në interpelancë kur deputetët kërkojnë dhe ai nuk vjen, e vërteta është se parlamenti del jashtë kushteve të rendit kushtetues. Është bërë si kurrë ndonjëherë në 35 vite, kreu i ekzekutivit i tmerruar nga vetja e tij nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve, për krimet e rënda, për problemet madhore që mbajnë autorësinë e tij. Ndërkohë shqiptarët rrokullisen çdo muaj e më shumë në varfëri. Ai fluturon në dy vite, 23 mln euro fluturime me avion taksi. Tani u rikthye prapë. Media informojnë se në udhëtimin e fundit avioni shkon 300 mijë euro. Parlamenti bllokohet në hetimin e tij.

Ne deklarojmë këtu solemnisht se ne jemi opozitë dhe nuk do pranojnë, që në këtë parlament asnjëri të qëndrojë mbi kushtetutën. Pse nuk vjen? Se mali i fakteve dhe dokumenteve e gropos atë. Sepse ai vetë, është kreu i sistemit korruptiv. Dhe se aferat e tij korruptive nuk lejohet të hetohen. Ku është djegësi i Tiranës 130 mln euro? Ku është? Ku është impianti i përpunimit të ujërave të zeza 120 mln dollarë kredi japoneze? Ku janë? Qindra mln të tjera të shpenzuara në rrugë. Ku janë? 240 mln euro të 100 fshatrave turistike. Dhje pastaj thonë ministrit Balluku si po flisni ju? Po ca do flasim ne mor? Çdo gjë keni bërë vetëm për të vjedhur. Shkoni në Shetaj, shkoni në Tragjas. Ujë s’kanë, asnjë nga pikat që parashikohej në projekt nuk është realizuar. Po ja merrni ujin, po i përzini dhe aty më nuk ka fshatar.

Në Shetaj janë 50 vila të reja të bukura nga emigrantët, vetëm 19 prej tyre kanë nga një të moshuar. Pse nuk vjen, pse nuk vjen? Sepse nxin në Shqipëri dhe në Europë me bllokimin, me mbrojtjen e vjedhjeve që ka bërë me Lubi Ballukun. Në fakt ty të thonë se të ka emëruar Lubia. Më mirë merr mbiemrin e saj dhe je rehat. Dhe ky tjetri më thanë ka studiuar në Itali, çfarë studimi, ky është emëruar nga vizat me Olsi Ramën. Nuk vjen se është i nxirë. Se i bëri vendit, një shërbim të tmerrshëm. A e dini ju, se ai raport, u përmbys raporti nga Lubia. Mendoni se ata nuk e dinë që Rama po mbron veten dhe jo Lubinë. Si kujton ti se nuk do ketë këtu skepticizëm? Në 15 projekte vetëm 1 realizohet. nuk ka tregues të tillë investimesh, përveç Haitit. Ku shkojnë? Vidhen. I vetmi kryeministër, hajdut që banon në saraje, me 9 mijë metra2 park. Më i madh se pallati presidencial. Pse nuk del këtu ai? Nuk vjen këtu se ka tmerr, ka frikë. Dhe mos shih kështu ti. Se këtu bëhesh trim, atje punon prapa tij në China club. Edhe padrinën e tij nuk e mbrojte”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb