Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka lëshuar një direktivë të prerë që uraniumi i pasuruar i Iranit, i cili ndodhet pranë nivelit të nevojshëm për prodhimin e armëve bërthamore, të mos transferohet jashtë vendit në asnjë rrethanë. Lajmi u raportua nga Reuters, duke cituar dy burime të larta iraniane, ndërsa zhvillimi pritet të komplikojë më tej negociatat për paqe mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Sipas raportit, vendimi i Teheranit bie ndesh me një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit dhe aleatëve perëndimorë, të cilët kërkojnë largimin e rezervave të uraniumit të pasuruar shumë nga territori iranian si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme.
Zyrtarë izraelitë kanë deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump i ka garantuar Izraelit se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë detyrimisht largimin e uraniumit të pasuruar nga Irani. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se lufta nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa eliminimin e rezervave të uraniumit, ndalimin e mbështetjes iraniane për grupet e armatosura dhe çmontimin e kapaciteteve raketore balistike të Teheranit.
Direktiva e Khameneit duket se reflekton një qëndrim të konsoliduar brenda regjimit iranian. Burime të Reuters thanë se zyrtarët iranianë besojnë se transferimi i materialit bërthamor jashtë vendit do ta bënte Iranin më të prekshëm ndaj sulmeve të ardhshme nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Para shpërthimit të konfliktit të fundit, Teherani kishte sinjalizuar gatishmëri për të transferuar jashtë vendit rreth gjysmën e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivelin 60 për qind. Megjithatë, ky qëndrim ndryshoi pas kërcënimeve të përsëritura të Trump për sulme të reja ushtarake.
Aktualisht, konflikti ndodhet në një fazë armëpushimi të brishtë pas përplasjes së 28 shkurtit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, si dhe kundërpërgjigjes iraniane ndaj vendeve të Gjirit që strehojnë baza amerikane. Megjithëse luftimet janë ndalur përkohësisht, negociatat për paqe mbeten të bllokuara.
Situata është komplikuar më tej nga bllokada amerikane ndaj porteve iraniane dhe kontrolli i Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Pakistani po përpiqet të luajë rolin e ndërmjetësit.
Në Teheran ekziston bindja se ndërprerja e operacioneve ushtarake mund të jetë një manovër taktike e Uashingtonit për të krijuar një ndjesi sigurie të rreme përpara sulmeve të reja ajrore. Kreu i negociatorëve iranianë, Mohammad Baqer Qalibaf, deklaroi se “lëvizjet e hapura dhe të fshehta të armikut tregojnë se amerikanët po përgatiten për sulme të reja”.
Nga ana tjetër, Trump ka paralajmëruar se SHBA-të janë të gatshme të rinisin sulmet nëse Irani nuk pranon marrëveshjen e propozuar, duke i lënë Teheranit vetëm pak ditë kohë për të dhënë “përgjigjet e duhura”.
