Të shtunën më 23 maj mbahet zgjedhjen për kreun e ri të Partisë Demokratike.
Alfred Lela i ftuar në “Opinion” në News24 u shpreh se pret pjesëmarrje të lartë në votime, duke e cilësuar procesin më shumë si një referendum sesa një garë të mirëfilltë politike.
Sipas tij, kundërshtarët e Sali Berishës janë të vetëdijshëm për mbështetjen që ai gëzon brenda partisë.
“Kundërshtarët e tij e dinë që Berisha ka mbështetje. Nuk mendoj se Berisha ka hallin e mbështetjes së munguar, nuk është kjo sfida. Ai ishte në opozitë dhe non grata dhe sërish e mbështetën”, u shpreh Lela.
Ai shtoi se situata politike në vend, sipas tij, tregon tipare të një “autokracie elektorale”, duke argumentuar se proceset zgjedhore nuk janë plotësisht të lira dhe të ndershme.
“Shqipëria është autokraci elektorale, pra e përkthyer në shqip do të thotë që nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk do të ketë pjesëmarrje të ulët. Ajo që ndodh pasnesër është referendum”, tha ai.
I pyetur nëse ekziston një emër që mund të garojë realisht përballë Berishës, Lela u përgjigj se i vetmi emër që do të mbështeste në këtë rast do të ishte vetë ai, por pa ambicie për të hyrë në garë.
