Dukagjini ka shkruar historinë duke e fituar për herë të parë Kupën e Kosovës në futboll. Skuadra nga Klina triumfoi 2:1 ndaj Ferizajt, në finalen e zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për Dukagjinin, ky ishte triumfi i parë në garën e kupës, pas tri finaleve të humbura në vitet 1995, 1996 dhe 2021.
Finalja dhuroi emocione, ritëm të lartë dhe supergola nga të dyja skuadrat. Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 16-të, kur Altin Mërlaku realizoi me një goditje të fuqishme nga distanca, duke mposhtur portierin McKenzie-Lyle.
Ferizaj reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin në minutën e 23-të me anë të Kushtrim Shabanit, i cili finalizoi saktë një aksion të organizuar mirë. Goli u konfirmua pas rishikimit në VAR nga gjyqtari Genc Nuza.
Skuadra klinase ishte pranë golit të dytë edhe në pjesën e parë, kur Hekuran Berisha goditi shtyllën pas një depërtimi të gjatë individual.
Në pjesën e dytë nuk munguan tensionet. Në minutën e 70-të, Dukagjini mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Erlis Xhemajlit me kartonin e dytë të verdhë.
Megjithatë, vetëm pesë minuta më vonë, Hekuran Berisha realizoi njërin prej golave më të bukur të finales. Sulmuesi 20-vjeçar shënoi nga gjysma e fushës, duke përfituar nga pozicionimi i avancuar i portierit kundërshtar për rezultatin 2:1.
Në minutat shtesë, Ferizaj kërkoi penallti me pretendim për prekje me dorë në zonë, por Nuza nuk akordoi penallti. Ky vendim shkaktoi reagime të shumta nga skuadra ferizajase. Kapiteni Betim Haxhimusa u ndëshkua me karton të kuq për protesta, ndërsa trajneri Arsim Abazi tërhoqi ekipin nga fusha për disa minuta.
Pas rikthimit në fushë, Ferizaj tentoi të shmangte humbjen, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Në fund medaljet dhe trofeun për ekipin e Dukagjinit i ndanë presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe ministri në detyrë i Sportit, Blerim Gashani.
Ky sukses i siguron Dukagjinit pjesëmarrjen në kualifikimet e UEFA Conference League për edicionin e ardhshëm.
