Përfaqësuesit e 27 vendeve të Bashkimit Europian kanë miratuar draftin paraprak të EUCP-së, duke hapur rrugën për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare me Shqipërinë më 26 maj në Bruksel, e planifikuar të nisë në orën 19:00.
Ky do të jetë takimi i tetë në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe konsiderohet një tjetër etapë e rëndësishme në procesin integrues.
Gjatë konferencës pritet të konfirmohet përmbushja e kritereve të ndërmjetme nga pala shqiptare, si edhe të vendosen objektivat përmbyllëse për grupkapitullin “Bazat”. Në këtë paketë përfshihen funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike, çështjet që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe të drejtat themelore, si edhe siguria dhe liria.
Në rendin e diskutimeve do të jenë edhe kriteret ekonomike, që përfshijnë prokurimet publike, statistikat dhe mekanizmat e kontrollit financiar.
NJOFTIMI
Konferenca e 8-të e Anëtarësimit me Shqipërinë, 26 maj 2026
Pikat kryesore të rendit të ditës
Takimi i tetë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel.
Takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 ‘Bazat’, duke përfshirë Kapitullin 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe Kapitullin 24 – drejtësia, liria dhe siguria, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Grupi përfshin gjithashtu Kapitullin 5 – prokurimi publik, 18 – statistikat dhe 32 – kontrolli financiar.
